History

Një ngjarje historike në Kopenhagen - Rikthimi në jetë i një thesari të muzikës shqiptare

Një ngjarje historike në Kopenhagen - Rikthimi në jetë i një thesari të muzikës shqiptare

Një ngjarje historike në Kopenhagen - Rikthimi në jetë i një thesari të muzikës shqiptare Nga Feride Istogu Gillesberg

3 Janar, 2021 — Një delegacion me artistë të shkëlqyer shqiptarë nga Tirana bashkoi forcat me një pianiste shqiptaro-zvicerane dhe muzikantë danezë të regjistronte 50 këngë tradicionale shqiptare, të përpunuara nga pianistja ë parë shqiptare, Lola Gjoka (Aleksi). Këngët e Lola Gjokës janë një ndërthurje këngësh popullore autentike shqiptare dhe muzikës klasike — një thesar kulturor që tashmë do të shohë dritën ë diellit pas shtatë dekadash.

Lola Gjoka (Aleksi), 1910-1985, ishte e para pianiste shqiptare, e cila luajti një rol kyç në prezantimin e muzikës klasike në Shqipëri. Lola përpunoi 50 këngë shqiptare të bazuara në këngët popullore autentike shqiptare dhe ende pjesë e traditës, ashtu siç këndoheshin anembanë kombit. Lola Gjoka (Aleksi) mbajti shënim notat dhe orkestroi muzikën për piano të këngëve, duke i qëndruar sa më besnike autenticitetit të origjinaleve. Këto këngë u bënë pjesë e koncerteve klasike që ajo dha në bashkëpunim me këngëtarët e parë të operas lirike në Shqipëri.

Në vitin 1912, Shqipëria fitoi më në fund pavarësinë — një pavarësi e fituar përtej çdo pritshmërie — pas 500 vitesh nën thundrën e egër të Perandorisë Osmane. Kur më në fund osmanët u zbuan, vendet fqinje u përpoqën me të gjitha forcat ta copëtonin Shqipërinë mes veti, me sukses të pjesshëm. Tanimë që ne gëzonim një vend tonin, dëshira për të dalë nga prapambetja ekstreme, qoftë kjo politike, ekonomike, apo kulturore, mori hov në mendjet dhe shpirtrat tanë.

Rrugëtimi i muzikës klasike drejt Shqipërisë

Lola Gjoka (Aleksi) lindi në Sevastopol të Krimesë, bijë emigrantësh shqiptarë. Babai i saj, i apasionuar pas mandolinës, adhuronte të këndonte këngët popullore shqiptare. Babai i Lolës e dashurontë muzikën dhe donte që e bija të mësonte të luante pianon, ndaj i bleu asaj një të tillë. Në moshën 9 vjeçare, Lola nisi mësimet e para për piano në shkollë dhe mësuesi i saj u entuziasmua nga talenti muzikor i vajzës. Lola vijoi studimet në konservatorin e muzikës në Sevastopol. Në vitin 1932, kur i mbetej veç një vit nga diplomimi, studimet e saj u ndërprenë. Një ultimatum në formën e një ligji u lëshua për emigrantët: o të bëheshin qytetarë sovjetikë, o të largoheshin nga vendi. E mbrujtur me prirje të forta patriotike dhe e vetdijshme për sakrificat e tmerrshme të popullit shqiptar që sollën pavarsinë, familja e Lolës nuk ishte e gatshme të hiqte dorë nga identiteti i saj. Ndaj ata u kthyen në Shqipëri. Lola ishte 21 vjeçe. Ajo mbërriti në Shqipëri si pianistja e parë shqiptare. Më vonë, pasi fitoi një konkurs për piano në Vienë, ajo mundi të përmbyllte studimet dhe të diplomohej.

Kur familja e Lolës u largua nga Krimea, ata morën me vete edhe pianon, të ndërgjegjshëm që në Shqipëri nuk do ta gjenin një të tillë. Udhëtimi pati një fund tragik me vdekjen e vëllait të vogël të Lolës. Me të mbërritur në Korçë, Shqipëri, miq të vjetër e ndihmuan familjen të niste jetën e re. Lola nisi të jepte leksione në piano për vajzat dhe djemtë e familjeve më të pasura, duke siguruar kësisoj të ardhurat e nevojshme për të gjithë familjen, që ndërkohë kishte humbur kursimet për shkak të hiperinflacionit.

Kur Lola mbërriti në Korçë, bërthama e parë për një rilindje kulturore ishte mbjellë tashmë nga këngëtari i parë shqiptar i operas lirike, Mihal Ciko, i cili qe kthyer në Shqipëri në vitet 1920-të. Ai ishte i pari shqiptar që studioi në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” të Milanos. Mihali la mbresa jo vetëm në Shqipëri, por edhe gjetkë. Në vitin 1924, ai mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar të këngës popullore në “Fiera di Milano”, ku këndoi këngë popullore shqiptare, të cilat nuk ishin kënduar ndonjëherë jashtë Shqipërisë. Mihal Ciko e fitoi konkursin me një interpretim sa të arrirë, aq edhe prekës.

Lola Gjoka dhe Mihali bashkuan forcat. Ndërkohë, të tjerë këngëtarë opere u kthyen në Shqipëri - sopranot Jorgjia Feliçe Truja, Tefta Tashko, Maria Kraja, tenori Kristaq Antoniu dhe baritoni Kristaq Koço. Kësisoj u formua bërthama e rilindjes kulturore me Lola Gjokën në qendër të saj.

Pianistja e madhe shoqëronte këngëtarët në ariat e Verdit dhe Puçinit, Lieder-in gjerman, etj. Këngët popullore shqiptare ishin një pjesë e rëndësishme e koncerteve. Shumë këngë tradicionale mbaheshin shënim nga Lola Gjoka, e cila kryente edhe orkestrimin shoqërues në piano, duke patur kujdes të ruante autenticitetin e këtyre këngëve të vjetra popullore. Tefta Tashko e të tjerë vinin tek Lola me këngë nga të katër anët e Shqipërisë, kësisoj Lola i regjistronte dhe kryente orkestrimet. Lola dhe Tefta përshkruheshin si dy bletë që po mblidhnin mjaltë nga lulet e lloj-llojshme në kopshtin e Shqipërisë.

Këto këngë u kthyen në një thesar kulturor që mbushte zemrat e njerëzve me bukuri, dashuri, optimizëm dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Kjo ishte edhe pikënisja e rilindjes kulturore në vitet 30-40-të dhe që do të vijonte për dekada me radhë.

Në vitet 70-të, Lola kreu një ripërpunim tjetër të këngëve të saj. Përpara se të ndërronte jetë në vitin 1985, dëshira e saj ë fundit ishte që këto këngë të bëheshin të aksesueshme për gjeneratën e re. Për shkak të problemeve shëndetësore, fëmija e vetme e Lolës, Juki, botoi një libër me 52 këngët e së ëmës vetëm në vitin 2007, por ato nuk u regjistruan kurrë.

Për herë të parë u prezantova me disa nga këngët e Lola Gjokës (Aleksit) nga pianistja shqiptaro-zvicerane Ermira Lefort, e cila erdhi në Danimarkë në vitin 2019 të performonte bashkë me mua dy nga këngët e Lolës në koncertin “Një dialog muzikor kulturash”, i organizuar nga Instituti “Schiller”, Dialogu Ruso-Danez dhe Qendra Kulturore Kineze. Ermira dhe unë u ftuam nga konsulli danez në Tiranë të jepnim një koncert me program shqiptar dhe danez. Për shkak të pandemisë, koncerti u shty për në 5 Qershor 2021. Fati e deshi që Ermira të mos e kishte të mundur ardhjen në Tiranë dhe mua m’u desh të gjeja një zëvendësuese. Pianistja Rudina Ciko ishte kjo zëvendësuese, një bekim më vete.

Kur e takova Rudinën në Tiranë, në Maj, ajo më dha librin me koleksionin e këngëve të Lola Gjokës (Aleksit), disa javë para koncertit. Për rjedhojë, pata kohë mjaftueshëm t’i hidhja një sy katalogut të këngëve dhe të zbuluja se çdonjëra prej tyrë kishte bukurinë dhe veçantinë e saj. Pas koncertit në Tiranë, rrugës së kthimit në Danimarkë dola në përfundimin se ato këngë duhej të regjistroheshin me patjetër. Çdo këngë ishte si një perlë në një gjerdan thesaresh dhe njerëzit duhet ta zbulonin këtë thesar.

Shkëndija që priti të shndërrohej në flakë

Vendosa të bëja pjesën time që këto këngë të regjistroheshin. Përmes Rudina Cikos takova të shoqin e saj, dirigjentin Zhani Ciko, djalin e Mihal Cikos, këngëtarit të famshëm lirik dhe njëkohësisht miku i Lola Gjokës. Zhani Ciko ishte një fëmijë i rilindjes kulturore dhe bart në zemrën dhe mendjen ë tij trashëgiminë e gjallë të rilindjes kulturore shqiptare. Zhani ishte i pari që organizoi performancën e Simfonisë së 9-të të Bethovenit në historinë e Shqipërisë, në vitin 1970.

Kur i shpreha Zhanit idenë për të regjistruar të gjitha këngët e Lolës, ai u entuziasmua. Ai nisi menjëherë punën që ideja të kthehej në realitet. Zhani organizoi një grup me këngëtarë të shkëlqyer, përfshi sopranon e mirënjohur Mariana Leka, sopranon Erlinda Agolli, tenorin Gerald Murrja, baritonin Antonio Zefi dhe pianisten Rudina Ciko. Bashkë me pianisten e madhe Ermira Lefort, tenorin e mirënjohur danez Stig Fogh Andersen, dhe mua, një soprano shqiptaro-daneze, u formua grupi i duhur për të përmbushur idenë. U mblodhëm të gjithë në Danimarkë të vinim në jetë projektin.

Falë Knud Rasmusenit, organistit në kishën Virum, kisha na hapi dyertë të kryenim regjistrimet në ambientet e saj. Dhe falë Stig Fogh Andersenit, djalit të tij Askut, si dhe mikut të tyre të mirë Heidrun Berit, ne arritëm t’i kryenim regjistrimet. Falë të gjithë muzikantëve, ne ia dolëm të regjistronim pesëdhjetë këngë në më pak se katër ditë (27-30 Dhjetor, 2021).

E përmbyllëm projektin me një koncert të vogël, të cilin mund ta ndiqni në: https://youtu.bë/y5SdUu-D5Qk

Ky regjistrim është një ngjarje historike sepse nuk është bërë kurrë më parë. Publikimi i përmbledhjes me këngët e Lola Gjokës (Aleksit) në një CD të dyfishtë në pranverën e këtij viti do të jetë jo vetëm një thesar që do t’i rikthehet trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe një perlë që do t’i bashkangjitet thesarit të kulturës evropiane.

Le të jenë këto këngë një frymëzim për të tjera koncerte dhe shkëmbime kulturore mes Shqipërisë dhe kombeve të tjera.

Information

Musikalsk dialog is a new iniciativ that has the aim to promote Albanian Classical Music internationaly in cooperation with differend artist in the respected nations. For more information contact Feride I.Gillesberg on info@musikalskdialog.dk  or +45 25125033. 

We use cookies

We use cookies on our website. Some of them are essential for the operation of the site, while others help us to improve this site and the user experience (tracking cookies). You can decide for yourself whether you want to allow cookies or not. Please note that if you reject them, you may not be able to use all the functionalities of the site.